Prokurorja e pezulluar e EULEX-it, Maria Bamieh, ka pohuar se është nën hetime "në vend të EULEX-it", ndërsa thotë se udhëheqësit e këtij misioni, bashkëpunojnë me mafinë dhe politikanët në Kosovë.
Bamieh pohoi se gjendet nën hetime “në vend të EULEX-it”, pasi u përpoq që të korrigjojë gabimet e brendshme të këtij institucioni".
"Kam folur publikisht vetëm kur më janë shteruar të gjitha mundësitë", tha Bamieh për të përditshmen sarajevase “Avaz”.
Ajo shprehu pakënaqësinë se ndodhet nën hetime, edhe pse ajo kërkoi që të hetohen akuzat e saja, ndërsa theksoi se udhëheqësit e EULEX-it, kanë bashkëpunim me mafinë dhe politikanët e fuqishëm të Kosovës, transmeton Telegrafi.
Siç vuri në dukje Bamieh, këtë e mundësoi shefi i Departamentit Special të EULEX-it, Jonathan Rathel, i cili "nuk ishte i interesuar të kryej hetime rreth krimeve financiare dhe ka shkatërruar plotësisht këtë njësi hetuese të EULEX-it".
"Kur më suspendoi Rathel, askush më nuk merret me krimet financiare të EULEX-it", shtoi Bamieh.
Ajo pohon se ka zbuluar parregullsi të shumta në punën e EULEX-it, më konkretisht disa përgjime, të cilat kanë konfirmuar dyshimet e saja, dhe se kreu i Departamentit Ligjor duhej të hetonte aktivitetet e prokurorit Jaroslav Novotny dhe gjyqtarit Francesco Florit.
Por, sipas saj, kjo nuk ka ndodhur.
Bamieh ka thënë se ka zbuluar dëshmi që kriminelët i kanë dhënë të holla gjykatësit italian, Flori, për lirimin e tyre në rastin e hedhjes së bombës në kafenenë Sekiraça në bulevardin "Bill Klinton" të Prishtinës, “por, as këtë rast EULEX-i nuk ka dëshiruar ta hetojë".