MBAHET TAKIMI I RADHES I KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS

U mbajt takimi i tetëdhjetenjë i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe njëherësh ushtrues detyre i Kryetarit të Këshillit, Sylë Hoxha.
Gjatë këtij takimi, anëtarët e Këshillit Prokurorial u njoftuan lidhur me të gjeturat nga Raporti i Progresit lidhur me sistemin prokurorial të Kosovës. Po ashtu, për të gjeturat e Raportit të Progresit anëtarët e Këshillit Prokurorial, u pajtuan që të formohet një grup punues për nxjerrjen e planit veprues për tejkalimin e mangësive që janë gjetur nga ky raport.

Po ashtu, Këshilli Prokurorial, ka aprovuar plotësimin me një (1) paragraf të Udhëzimit Administrativ Nr. 02/2014 të KPK-së për Procedurat e kompensimit të mbrojtësve me shpenzime publike.

Po sot, u themelua grupi punues për hartimin e një draft-Rregulloreje për Procedurat dhe kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të KPK-së.

Koordinatori Kombëtar për Krime ekonomike, prokurori Shqipdon Fazliu, ka raportuar sot para anëtarëve të Këshillit Prokurorial, lidhur me punën e tij tre mujore.

Gjithashtu, anëtarët e KPK-së u njoftuan lidhur me raportin nëntë mujor të zyrës së trajnimeve për prokurorë dhe staf mbështetës. Po ashtu, u aprovua raporti për trajnime në Institutin Gjyqësor të Kosovës për vitin 2015.

Sa i përket kërkesës nga shoqata Sindikale e Prokurorive të Kosovës, për ngritjen e koeficienteve, u autorizua drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, që në takimin e ardhshëm të njoftojë KPK-në, se a është e mundur apo jo realizimi i kërkesës së Sindikatës.

Këshilli Prokurorial, ka aprovuar kërkesën e Prokurores Arbresha Raca, prokurorit Bahri Hyseni, dhe Prokurorit Kujtim Munishi, për angazhim në ligjërime. Por, në të njëjtën kohë komisioni për akte normative të fillojnë punët për përgatitjen e një rregulloreje për standardizimin e lejimit apo mos lejimit të prokurorëve si ligjërues.

Anëtarët e KPK-së, u njoftuan lidhur me shkresën e Ministrisë së Drejtësisë për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

KPK-ja themeloi komisionin për rishqyrtim të ankesave dhe kërkesave rreth procedurave se si do të zhvillohet konkursi për prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në fund të takimit u diskutua për punët që është duke i bërë Komisioni për Akte Normative lidhur me ndryshimin e rregullores për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.