Metoda e re tek sulmi në zemër mund të shpëtojë shumë jetë

Një metodë e re, relativisht e thjeshtë, që ka të bëjë me sulmet e zemrës mund të shpëtojë mijëra jetë njerëzish, raporton BBC.

Me këtë metodë të re pastrohen të gjitha arteriet e ngushtuara tek personi i cili pëson sulm në zemër, dhe jo vetëm një e cila është e bllokuar tërësisht.

Një studim klinik i kryer në pesë qendra kardiologjike britanike, mes të tjerash edhe spitali Golden Jubilee National, ishte jashtëzakonisht i suksesshëm, vlerësohet nga mjekët.

"Në momentin kur pacienti vjen me infarkt, atij i bëhet angiogrami emergjent dhe zakonisht e trajtojmë arterien e cila e ka shkaktuar sulmin në zemër", shpjegoi kardiologu nga ky spital, Keith Oldroyd.
"Megjithatë, shumë prej këtyre pacientëve kanë ngushtime edhe në arteriet e tjera. Prandaj, me metodën e re i trajtojmë të gjitha arteriet e ngushtuara në të njëjtën kohë, për të parë nëse kjo sjell ndonjë përfitim shtesë", tha Oldroyd.

Çdo vit, rreth 25.000 njerëz në Britani të Madhe preken nga ndonjë lloj sulmi në zemër i cili zgjidhet me angioplasti.
Rekomandimet aktuale në Britani të Madhe thonë se duhet të trajtohet vetëm arteria e cila është e bllokuar plotësisht, dhe e cila e ka shkaktuar sulmin. "Shumica e kardiologëve besojnë se nuk është procedurë e sigurt nëse trajtohet edhe arteria e dytë apo e tretë, njëjtë si e para", thekson Oldroyd.

"Rezultatet e një studimi klinik tregojnë se këto rekomandime duhet të ndryshojnë", shtoi ai.
Studimi përfshiu 465 pacientë në pesë qendra të specializuara në Britani të Madhe. Gjysmës së pacientëve u ishin pastruar të gjitha arteriet, ndërsa pjesa tjetër është trajtuar në mënyrë konvencionale.
Shkencëtarët kanë zbuluar se teknika e re kishte zvogëluar rrezikun e vdekjes apo ndonjë sulm të ri në zemër për dy të tretat.

Rezultatet janë botuar në “New England Journal of Medicine” dhe janë prezantuar në një konferencë ndërkombëtare në Amsterdam, në shtator.