Institucionet qendrore ia kanë lënë Komunës së Prishtinës përgjegjësinë për përfundimin e procesit të koogjenerimit të Termokosit, pasi që për një gjë të tillë nuk i ka bindur kompania kontraktuese.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ka thënë se kompania ka mundur këto punë t’i kryejë gjatë gushtit dhe shtatorit të këtij viti, raporton KTV.
Nga ana tjetër, Komuna e Prishtinës po vazhdon të shpresojë se do të kryhen punimet për 12 ditë. Gjasat mbesin që punimet të nisin nga e premtja.
Këshilli ndërministror për projektin e koogjenerimit të Termokosit ka marrë vendim që 2.5 milionë euro të qeverisë t’i ndajë për mbulimin e kostos nga mosfurnizimi me energji prej bllokut 1 të Termocentralit Kosova B.
Megjithëse kompania kontraktuese nuk kishte arritur t’i bindte se do të mund t’i kryente punët për 12 ditë, përgjegjësia i është lënë Komunës së Prishtinës.
Ismajli ka thënë se kontraktuesi ka pasur informatat për kohën e ndaljes së bllokut që nga viti i kaluar, por nuk ka marrë asnjë veprim për realizim të këtyre punimeve.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shpresa që furnizimi me ngrohje i kryeqytetit të nisë nga ky vit, por nuk ka përjashtuar mundësinë që vazhdimi i punimeve të mbetet për vitin që vjen.
Ndërkohë në Termokos punëtorë të kompanisë kontraktuese po vazhdojnë punët, ndërsa drejtues të saj nuk kanë dhënë asnjë detaj për këtë projekt.
Kohavisioni nga mëngjesi ka kërkuar nga drejtues të Termokosit sqarimë nëse nga nesër do të nisin punimet për lidhjen e gypave me bllokun 1 të termocentralit Kosova B, por askush nga zyrtarë të Termokosit nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike apo përmes postës elektronike.
Sipas planit të aprovuar, kompania do të duhet të nisë punimet nga e premtja e kësaj jave dhe do të zgjasin 12 ditë.
Për këtë kohë kur duhet të ndalë prodhimin e energjisë Blloku 1 i Kosovës B, qeveria dhe komuna kanë ndarë 4.6 milionë euro për të kompensuar importin e energjisë dhe shpenzime të tjera për realizimin e këtij projekti.
Ngrohja me avull, Qeveria ia lë përgjegjësinë... by GazetaExpressTV