POLICIA SHKATËRROI MUNICIONIN E GRUMBULLUAR

Policia e Kosovës dhe UNDP kanë bërë shkatërrimin publik të municionit në Golesh të Sllatinës.
Më këtë rast, është bërë shkatërrimi i municionit të grumbulluar gjatë vitit të kaluar, që është në kuadër të Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Kontrollimin dhe Grumbullimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se ky rast tregon përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të kontrollojnë dhe të konfiskojnë sa më tepër armë ilegale dhe municion, që është në duar të paautorizuara.
Ndërsa, zëvendës-përfaqësuesja e Përhershme UNDP-së, Alessandra Roccasalvo, tha se një ngjarje e tillë dëshmon konkretisht zotimin e faktorëve relevantë për të përmirësuar sigurinë.
E sekretarja e parë pranë Ambasadës Gjermane, Henriette Kötter, tha se shkatërrimi i armëve dhe municionit është një kontribut i mëtejshëm që Kosova të bëhet vend më i sigurt për qytetarët e saj.
Ajo tha se ky është një kontribut shtesë në integrimet evropiane dhe për sigurinë në Kosovë.
Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Shpend Maxhuni, theksoi se shkatërrimi i municioneve ka një ndikim shumë-dimensional, jo vetëm për institucionet e Republikës së Kosovës, që me këtë ngjarje avancojnë ngritjen e kapaciteteve të cilat i shfrytëzojnë në realizimin dhe arritjen e objektivave, në ofrimin e sigurisë për qytetarët vendit.
Gjithashtu me këtë rast, është bërë certifikimi i zyrtarëve të institucioneve të Republikës së Kosovës për shkatërrim të municionit dhe mjeteve piroteknike.
Trajnimi është mbajtur nga ekspertë të kompanisë britanike “Explosives Capabilities Limited”, kompani e njohur botërisht në këtë fushë, e angazhuar enkas nga ana e UNDP-së.
Ky donacion është mundësuar nga zyra Gjermane e Punëve të Jashtme dhe është pjesë e përkrahjes së vazhdueshme të projektit të UNDP-së, “FERM për Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Kontrollin dhe Grumbullimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (SALË). Projekti “FERM” është vazhdimësi e projektit të UNDP-së KOSSAC i cili për 7 vite rresht dha mbështetje në këtë fushë.