Porosia e Mimozës për Shpendin: Qe qysh shitet vetura e ish-kryetarit


Shpend Ahmeti nuk po arrin që ta shes “Audi Q7’shin” e Isa Mustafës, por Mimoza Kusari ka arritur që ta shesë veturën luksoze të Pal Lekajt me vetëm dy ankande. Në një prononcim për media, ajo i jep mësim homologut në kryeqytet se si bëhet kjo punë

Express raportoi të mërkurën se kryetari i Komunës së Prishtinës nga Vetëvendosja, Shpend Ahmeti nuk po arrin ta mbaj premtimin e tij që ta shesë veturën luksoze të ish-Kryetarit Isa Mustafa, “Audi Q7’in”.
Një anëtar i zyrës për informim të Prishtinës komentoi në lidhje me shkrimin e Express se është varfëria e popullit si faktor që s’po mund ta shesin këtë veturë.
“Nuk është problemi se komuna nuk do me e shitë Audi Q7, por se nuk po e blejnë. E kanë varfëruar këtë popull deri në atë masë sa nuk kanë bukë me ngrënë, e lëre më të shpenzojnë para për luks. Veç nëse paraqitet me e ble Hashim Thaçi, ose Isa tash si kryeministër - shkaku i nostalgjisë”, shkruan ai në facebook.
Por, Kryetarja e Gjakovës nga AKR’ja, Mimoza Kusrai në një prononcim për Express ka një tjetër histori me shitjen e veturës luksoze të ish-kryetarit të Gjakovës, Pal Lekajt të AAK’së.
“Të gjitha veturat e panevojshme për komunën e Gjakovës i kemi shitur me dy ankande. Veturën luksoze me të cilën është vozitur Pal Lekaj e kemi shitur me ankandin e dytë, dhe nuk ka qenë problem, pasi që këtë punë e kanë bërë administrata profesionale që e kemi gjetur në komunë”, thotë Kusari .
Ajo thotë se është e gatshme ta këshillojë homologun e saj në kryeqytet se si ta shes veturën me të cilën u vozit Isa Mustafa.
Ajo tha  se nëse ka vullnet që të shitet një aset i komunës i panevojshëm për administratën aktuale kjo bëhet, pa pasur nevojë që të bëhet zhurmë.
Kusari sqaroi që kur kanë vlerësua që vetura luksoze e Pal Lekajt nuk i duhet administratës së re, e kanë marrë fillimisht një vlerësim profesional nga një shitës i asaj marke të veturave që u ka thënë që kushton më shtrenjtë që ta mbajnë se sa ta shesin, dhe në ankand kanë arritur që ta sheshin dy fish më lirë se sa që është blerë, por, kanë i kanë shmangur shpenzimet për mirëmbajtje të tij.
Express raportoi se Shpend Ahmeti duket se është dorëzuar para fjalëve të veta publike. Ai dhe Komuna e Prishtinës nuk po mund ta realizojë premtimin e dhenë, për shitjen e veturës Audi Q7. Shitjen e saj e kanë provuar dy herë në ankande publike por nuk patën sukses. E tani, të lodhur në këto dështime, duket se kanë hequr dorë krejt nga shtija e saj dhe më as në ankand nuk po e qesin.