Thaçi fton gratë të ngrehin zërin kundër dhunës



Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës kundër Grave, kryeministri në detyrë Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje të gjitha grave që të ngritin zërin kundër çdo dhune që ushtrohet ndaj tyre.
Përmes një postimi në profilin e tij në facebook, Thaçi shkruan se kjo ditë, na kujton të gjithëve se duhet të angazhohemi për të luftuar çdo formë të dhunës me të cilën përballen gratë, qoftë ajo fizike, seksuale apo psikologjike.
Ai, madje ka premtuar se Eliminimi i dhunës dhe diskriminimi gjinor ka për të qenë një prioritet për qeverisjen e ardhshme.
“Në këtë ditë u bëj thirrje të gjitha grave që të ngrenë zërin dhe të mos heshtin për dhunën që ushtrohet ndaj tyre si dhe të gjithë shoqërisë që të mos tolerojë në asnjë mënyrë dhunën në familje. Eliminimi i dhunës dhe diskriminimi gjinor ka për të qenë një prioritet për qeverisjen e ardhshme. Ne do të bëjmë çmos që gratë të jenë sa më të mbrojtura nga dhuna, të kenë përfaqësim sa më të lartë në vendim-marrje, të kenë mundësi sa më të mëdha ekonomike dhe pjesëmarrje sa më të madhe në të gjitha fushat shoqërore. Ne do të fuqizojmë gjyqësorin që të marrë masa sa më efikase ndaj shkaktarëve të dhunës ndaj grave. Po ashtu do përpiqemi për emancipimin sa më të shpejtë të shoqërisë sonë në mënyrë që të evitohen stereotipet gjinore dhe të respektohen sa më shumë roli dhe të drejtat e grave. HTH”, ka shkruar Thaçi në facebook.