Të rinj e të vjetër së bashku me fëmijët e tyre të vegjël tash e disa muaj kanë marrë rrugën e kurbetit në mënyrë ilegale. Ata po përdorin Serbinë si urë-lidhëse me një vend të BE-së si Hungaria për të depërtuar më pas në Perëndim. Mirëpo kjo po u kushton shumë familjeve.
Ata në Hungari po mbahen nëpër kampe në kushte minimale, po shantazhohen dhe po u kërkohen para për t’i lënë të lirë të vazhdojnë nëpër vendet tjera.
Siç do të mund të shihni edhe nga këto foto dhe video ata po përballen me kushte jashtëzakonisht të vështira duke rrezikuar edhe shëndetin e fëmijëve të tyre. Kështu na ka thënë një dëshmitarë nga vendi i ngjarjes i cili edhe i ka dërguar këto fotografi dhe video në adresën tonë.
“Na kanë mbajtur tri ditë në këto kushte siç mund t’i shihni në fotografi dhe video. Ka qenë ftohtë dhe nuk na kanë sjellë asgjë për të ngrënë. Madje disa prej nesh na kanë marr edhe para për të mos na kthyer prapa”, rrëfen H.M.
Ai ka shitur veturën e tij për të dalë në Itali që të takohet me të fejuarën e tij italiane e cila është shtatzënë dhe pran lindjes së fëmijës. Ai thotë se nuk do të merrte këtë rrugë sikur ambasada italiane nuk do t’i refuzonte vizën.
“Më kanë refuzuar vizën për Itali edhe pse e dinin që jam i fejuar me një italiane. E fejuara ime është shtatzënë dhe shumë shpejt pritet që të lind djalin tonë të parë dhe unë nuk pash rrugë tjetër për të qenë pran saj në atë moment”, rrëfen H.M. Ai tashmë ka ngecur në Hungari pa para dhe po shikon për një mundësi për të dalë në Itali. Sikur H.M edhe shumë kosovarë të tjerë kanë marrë këtë rrugë dhe po përjetojnë të njëjtin fat.