Kryepolici i Serbisë për veriun e Kosovës shtyp me makinë policin kosovar në detyrë


Kreu i Policisë së Serbisë për Zveçan, Zubin-Potok, Mitrovicë dhe Leposaviq, Ninoslav Mijanoviq - “Nino”, ka goditur me makinë një polic të Kosovës derisa ishte në detyrë.

Incidenti ndodhi në fshatin Grabofc të Zveçanit, ku polici kosovar ishte duke kryer kontrollin rutinor të makinave në trafik.
Këtë informatë gazeta e ka siguruar nga burime të sigurta, ndërsa zyrtarë të Policisë së Kosovës e konfirmuan incidentin, por mohuan se kanë njohuri për identitetin e personit që goditi policin me veturë.
Sipas burimeve te sigurta të gazetës, polici kosovar M. Miliçeviq ka marrë plagë të rënda dhe është dërguar me urgjencë në spitalin që gjendet ne pjesën veriore të Mitrovicës.
Incidenti thuhet të këtë ndodhur rreth orës 17:10, ku polici në detyrë po vëzhgonte trafikun në rrugën magjistrale të Ibrit, e cila shpie nga Mitrovica drejt kalimit kufitar me Serbinë, në Jarinja të Leposaciqit.
Gjithçka ka ndodhur në momentin kur polici kosovar në detyrë ka tentuar ta ndalte një veturë që lëvizte ne drejtimin Leposaviq-Zvecan me shpejtësi më të madhe se që është e lejuar në atë segment rrugor.