KEDS-i paralajmëron dimër pa reduktime

Qytetarët e vendit që nga e hëna janë duke u përballur me reduktime të ashpra të energjisë elektrike. Krahasuar me komunat tjera të cilat mbrëmë ishin në terr, Prishtina është e vetmja që pati furnizim më stabil. Megjithatë këtij terri nuk i kanë shpëtuar as disa lagje të kryeqytetit, të cilat për orë të tëra ishin pa drita.

Për qytetaret kjo gjendje e krijuar është plotësisht e padrejtë, kur dihet se çmimet e rrymës po u rriten çdo ditë, e në anën tjetër po u shtohen reduktimet dhe nuk po u sigurohet energji e mjaftueshme. E gjithë kjo situatë e krijuar me reduktime të ashpra, po bëhet në kohën kur temperaturat ende nuk kanë rënë nën zero, gjë që i bën qytetarët që të mos shpresojnë që në këtë dimër të cilin po hyjmë të ketë furnizim të kënaqshëm me energji elektrike.

Ibrahim Makolli, banor i Lagjes Kodra e Trimave, në Prishtinë, thotë për KosovaPress se ata po përballen me reduktime të gjata.

Edhe Abaz Gashi, qytetar nga Prishtina, thekson se reduktimet e ashpra vetëm kanë filluar dhe se nuk pret që gjendja të jetë e mirë as gjatë dimrit, kur ata do të përballen me temperatura edhe më të ulëta.

Ndërsa, Fadil Maqedonci thotë se faturat po duhet t’i paguajnë, e në anën tjetër po mbesin në terr.

Guri Shkodra, zëdhënës i KEDS-it, tha për KosovaPress se situata e krijuar ka qenë si pasojë e daljes nga prodhimi i njësisë B1, gjë për të cilën ata janë njoftuar nga KEK-u dje në orët e mëngjesit. Ndërsa thotë se nuk kanë mundur të bëjnë import emergjent të energjisë dhe janë detyruar të aplikojnë reduktime derisa gjendja është normalizuar.

“Ne gjate ditës se djeshme, i kemi informuar të gjithë për problemet në furnizim me energji elektrike. Dje në orët e hershme të mëngjesit jemi informuar nga KEK për ndërprerje të prodhimit të energjisë nga njësia B1 në termocentralin Kosova B dhe jemi përballë me mungesë të paplanifikuar të energjisë elektrike, prej 250 MWh. Në të njëjtën kohë, nuk ka qenë e mundshme të bëhet import emergjent i energjisë elektrike, për shkak të proceseve të vazhdueshme, në mes të operatorit të transmisionit në Kosovë - KOSTT dhe atij në Serbi - EMS. Dyja këto procese nuk varen nga KEDS andaj edhe si pasojë në raste të tilla emergjente fatkeqësisht ne nuk mund të importojmë energji elektrike brenda ditës, deri sa ky proces në mes të dy operatorëve të transmisionit të finalizohet dhe për këtë arsye kemi qenë të detyruar të aplikojmë reduktime deri sa gjendja është normalizuar”, thotë ai.

Zëdhënësi i KEDS-it thotë se gjendja është normalizuar gjatë ditës së sotme, ngase njësia B1 është kthyer në funksion nga KEK. Por ai thotë se mund të ketë përsëri ndërprerje për shkak te prishjeve ose për shkak te implementimit të planeve të mirëmbajtjes se rrjetit nga KEDS dhe KOSTT, ose planeve investuese nga KEDS.

Shkodra më tej pohon se nuk pritet që reduktimet të vazhdojnë gjatë dimrit, pasi që KEK do t’i ngrit kapacitete e veta prodhuese dhe KEDS do të importojë pjesën tjetër të energjisë, me qëllim të mbulimit të kërkesave të konsumatorëve,të cilëve, siç thotë ai, u kanë qëndruar pranë dhe në raste të jashtëzakonshme, si ai i së hënës kur ata janë përballur me reduktime.

“Ne jemi informuar nga KEK që në dhjetor të vitit 2014 do të ngrihen kapacitetet prodhuese deri në 800 MWh, derisa pjesa tjetër e nevojshme për të mbuluar kërkesën e konsumatorëve do të importohet nga KEDS. Në raste të jashtëzakonshme dhe emergjente, siç ishte rasti i djeshëm apo edhe disa raste të mëhershme me probleme të prodhimit, furnizimi mund të vështirësohet. Jemi përballë me sfida të jashtëzakonshme, në furnizim me energji elektrike që fatkeqësisht nuk varen nga ne dhe kemi qëndruar pranë konsumatorëve. Si nga qershori i këtij viti, kur kemi vazhduar të importojmë, dhe edhe pse jo përgjegjësi e KEDS në raste të tilla të jashtëzakonshme ne kemi mbuluar financiarisht këtë import të shtuar të energjisë elektrike, me qëllimin e vetëm që të ketë energji për qytetarët”, thotë ai.