(E plotësuar) - Melihate Tërmkolli, ish-anëtare e LDK-së, tani në AAK, ka thënë se nuk e ka problem edhe po të “kthehej” në listën e LDK-së në rast të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Ka gjasa që LDK, AAK e Nisma të hyjmë me një listë në zgjedhje, përveç Vetëvendosjes. Nuk e kam problem të hyjë në listën e LDK-së, pasi aty kam kaluar shumë vite”, ka thënë Tërmkolli në “Interaktiv” të KTV-së, transmeton Koha.net
***
Tërmkolli për VLAN-in: Nuk jemi as ne engjëj
Tërmkolli ka thënë se partitë e bashkuara opozitare nuk është se janë engjëj, por janë bashkuar për një qëllim të caktuar.
“Nuk jemi engjëj dhe do ta shpëtojmë me një shkop magjik Kosovën. Jemi bashkuar për një qëllim të caktuar, pavarësisht të kaluarës dhe veprimeve tona”, ka thënë Tërmkolli, transmeton Koha.net.
Madje ajo ka thënë Vetëvendosje po vazhdon edhe pas marrëveshjes së Bllokut me ofendime, duke iu referuar deklaratës së Kurtit për “hajnat e ligës së parë dhe të dytë”.
Ajo tha se këta ishin deklarata të rënda.
Sipas saj, asnjë parti, jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë, nuk është pa gabime, por se, sipas saj, partitë mund të ndryshojnë e të bëhen pak më të mirë se tjerat.
© KOHA.net
***
Tërmokolli: Natyrshëm, kryeparlamentari i takon PDK-së
Deputetja e AAK-së, Melihate Tërmkolli, e ftuar në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka folur në lidhje me ngjarjet e fundit në skenën politike.
Ajo ka ripërsëritur qëndrimin e bllokut LAN dhe VV se e kanë fuqinë parlamentare në numra dhe se synojnë edhe kryeparlamentarin edhe qeverinë.
“Jam institucionaliste. Që kur kam nis të merrem me politikë, kam qenë e këtillë. Qëndrimi ynë është shumë i qartë – ta kemi edhe kryeparlamentarin edhe qeverinë. Por, realiteti është ndryshe. Është një parti që ka fituar shumicën e votave, por kemi një grup parlamentar që ka shumicën e votave. Situata nuk është pa zgjidhje, vetëm duhet seriozitet më i madh”, ka thënë ajo, transmeton Koha.net.
Më tej, Tërmkolli ka thënë se është ndër deputetët e vetëm të Kuvendit të Kosovës që nuk e ka votuar Kushtetutën e Kosovës. Por, megjithatë, ajo thotë se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Me gjithë të këqijat e mundshme, Gjykata e ka sjellë një vendim. Mendoj se duhet të shihet mundësia më e mirë që të dilet nga kjo situatë”, ka shtuar Tërmkolli.
PDK, sipas tij, ka krijuar disa mekanizma shumë bllokues për gjetjen e zgjidhjes. “Nuk kemi mbledhje të Kuvendit. Zonja Brovina nuk e ka të drejtën për të marrë vendimin se a do të bëjnë ujdi partitë politike a jo. Detyra e saj është të thërras seancën dhe të mbajë atë. Pastaj janë partitë politike që do të provojnë të gjejnë zgjidhje”, ka thënë deputetja e AAK-së, Melihate Tërmkolli.
Tërmkolli ka thënë se duhet të hapet Parlamenti në mënyrë që të bisedohet brenda tij drejt krijimit të një klime dhe situate ku palët do të uleshin e bisedonin për zgjidhjen e situatës.
Deputetja e AAK-së ka thënë se askund në botë nuk bëhet luftë për pozitën e parlamentarit, pasi sipas saj, pozita e kryeparlamentarit i takon natyrshëm partisë që ka fituar shumicën e votave. Lufta, sipas saj, bëhet për qeverinë.
Megjithatë, ajo nuk ka dashur t’i thotë Bllokut të heqë dorë nga kjo pozitë, por shtoi se nëse kjo do të ishte e vetmja rrugë drejt zgjidhjes së ngërçit, atëherë edhe ndoshta do të ishte mirë të hiqej dorë.
Më tej, deputetja e AAK-së ka thënë se qëllimi kryesor i VLAN-it është largimi i Thaçit nga qeveria.
© KOHA.net