Pacolli: Nuk po e njoh këtë LDK kaq të vogël, Thaçi do t'i fitojë zgjedhjet (Video)

Pacolli thotë se partitë duhet të ulen dhe të bisedojnë për të zgjidhur situatën që ndodhet Kosova. Thotë se nuk po e njeh këtë LDK që po e sheh në mesin e partive të vogla dhe thotë se sërish Thaçi do t'i fitonte zgjedhjet

"Partitë politike duhet të ulen me fituesin e zgjedhjeve dhe të bisedojnë. Për hirë të papunësisë, të zhvillimit ekonomik, të ulen e të mirren vesh për një bashkëqeverisje ta zëmë për një vit, një vit e gjysmë dhe të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe deri atëherë të kryhen reformat zgjedhore", ka thënë Pacolli në Rubikon të KTV'së.
Pacolli thotë se LDK është dashur të marrë përgjegjësi për Kosovën.
"Një përgjegjësi shumë të madhe e ka z.Mustafa me LDK'në sepse është pothuajse partia më e madhe në vend, ndër më të mëdhatë. LDK nuk e njoh si një parti e cila mbetet në një pozitë ku nuk bën asgjë për zgjidhjen e situatës", thotë ai duke shtuar "se kjo parti duhet të marrë përgjegjësi për Kosovën".
"Po të isha një parti parlamentare, sigurisht do të luftoja deri në fund që të mos ketë ngërç politik. Për hirë të interesit të qytetarit situata do të shkonte ndryshe. Besoj se asnjëherë z. Thaçi nuk ka pasur ndonjë takim serioz me palën tjetër dhe ai asgjë nuk i është kërku nga pala tjetër. T'i kërkohet, të bëhen kërkesat dhe ai të përgjigjet. Si ai do t'u përgjigjet nuk e di fare", ka thënë ai.
Pacolli thotë se i ka ikur çdo kontakti me Thaçin deri tani vetëm që t'u ikë thashethemeve.
"Unë i kam ikë çdo kontakti deri tani me Thaçin, për shkak se ju e dini që i kemi qejf konspiracionet dhe nuk kam dashur të jem pjesë e asnjë thashethemi", ka thënë ai.
Për Presidenten, thotë se ka bërë çfarë ka mundur deri tani.
"Presidentja është shumë e limituar me këtë institucion siç është sot. Ajo ka bërë punën e vet, ka tentuar të bisedojë me secilin. E shoh se funksioni i Presidentes është shumë i limituar. U mbetet liderëve të mendojnë për qytetarin dhe të gjejnë një zgjidhje", ka thënë ai. 



Pacolli per LDK-ne by GazetaExpressTV