Ajo është një grua jo vetëm e bukur, me një kurorë bukurie të marrë vite më parë, por edhe një grua jashtëzakonishtë e fortë. Afërdita Paqarada, vjen në këtë intervistë jo për këshilla bukurie, por si një femër e cila ka fituar betejën me tumorrin.
Ajo tregon se si të shembet bota, kur mendon se nuk do jesh më për njerëzit e dashur, nuk do jesh më mes tyre. Por një forcë më e madhe, ajo e një nëne që dëshiron të jetë gjatë me fëmijët e saj, ishte dora që i largoi “djajtë e sëmundjes” dhe Afërdita ia doli. Ndoshta edhe për një mision, atë të të ndihmuarit të të gjitha grave që mund tu qëlloj në jetë të vuajnë nga njëra prej sëmundjeve më të këqija. Afërdita Paqarada është shembull i shpresës dhe i forcës, para se të jetë shembulli i një femre shumëdimensionalsiht të bukur. Sepse bukruia është e gjitha mes katër fjalëve JETË!
Afërdita, ju i jeni aktive, të paktën publikisht për të ndihmuar gra të shumta që përballen me një nga sëmundjet më të këqija, siç është tumorri. Si mund të ndihmohen realisht gratë shqiptare?
Pikësëpari nevojitet të kontribuojmë në ngritjen e vetëdijes për identifikimin e Hersheë të kancerit,por edhe në aplikimin e faktorëve që preventojnë qoftë në mënyrë individuale apo kolektive përmes fushatave të ndryshme, kontrolleve rutinore e mënyra të ndryshme.
Personalisht kam kontribuar në forma të ndryshme,duke përdorur përvojën time në shumë raste, si në aspektin profesional ashtu edhe privat. Kam ndihmuar individualisht secilën femër që më është drejtuar dhe vazhdoj edhe më tutje. Kjo më jep një ndjenjë të veçantë të kënaqësisë, të cilën nuk di ta përshkruaj. Sidomos në rastet kur personat e kanë fituar betejën.
Meqë keni pasur vetë një betejë të fituar, a mund tu thoni femrave të tjera se çfarë ka më shumë rëndësi të bëjnë, në një rast diagnostikimi me këtë sëmundje?
Është me shumë rëndësi të MARRËSH VENDIMIN PËR TË LUFTUAR, sepse ka dallim drastik nga momenti kur duhet të këshillosh dikë se si të luftosh, nga fakti kur duhesh të përballesh vet me luftën. Shpresa dhe përkrahja nga familja ka shumë rëndësi, sepse kanceri të merr shumë nga ndjenjat në jetë, por familja t’i jep mbrapa.
Si reaguat kur e morët vesh që ishit sëmurë?
Momenti kur e kupton se çfarë ndjenje është të ndahesh nga kjo jetë…është i vështirë. Sidomos kur keni detyrime dhe përgjegjësi për fëmijët.
Ju si ia dolët të fitonit?
Fëmijët kane qenë inspirimi im që nga momenti i parë. Djali im, Arti kur ka kuptuar pas bisedës sonë që unë duhet të luftoj me sëmundjen e kancerit, duke dënesur më pat thënë: “Nanë a nuk më ke premtu që do të jesh me mua deri sa kam unë të kem nevojë për ty? Unë ende kam nevojë për ty, mos shko!” Premtimi që i dhashë më ka mbajtur të fortë, që ta fitojë betejën.
Cilët janë njerëzit që nuk ju kanë braktisur kurrë në jetë pavarëisht momenteve të këqija që mund të keni kaluar?
Në momente të vështira kam pasur pranë vetes njerëzit për të cilët lumturia ime ka qenë më e rëndësishme se lumturia e tyre. Jam me fat që kam pranë vetes bashkëshortin që është për mua, aty ku gjithmonë duhet të jetë, mikeshën time Diellza Kolgeci që më dëgjon pafund kurdo që kam nevojë, motrat e mia Buqen, Isidorën dhe Mrikën, pa të cilat jeta do të kishte tjetër kuptim; tezen time që ma zëvendëson në një mënyrë nënën time të ndjerë, duke më ofruar dashuri pa kushte dhe përkrahjen që ma jep babai im.
A besoni në Zot? Ç’rol luan besimi në momentet e vështira të një njeriu?
Kur kupton që duhesh të luftosh për jetën atëherë e kupton që jeta është Dhuratë nga Zoti.
Ju mbaheni si një ikonë bukurie në Kosovë dhe Shqipëri, sa ju ka ndihmuar ajo në jetë?
Në varësi nga momenti dhe situata kjo ka qenë një përparësi apo mangësi. E kam përdorur mirë në momente të caktuara, por nuk mungojnë edhe eksperiencat kur ka qenë disavantzhe.
Sa e rëndësishme është për një grua të jetë e bukur?
Çdo njeri prej nesh ka perceptim të ndryshem ndaj bukurisë. Mendoj qe karakteristikat fizike nuk e percaktojn bukurin e nje femre. Per mua bukuria ka nje definicion me te gjere . Nje Grua rrezaton bukuri kur ploteson Anen fizike me konfidence, zgjuaresi dhe dukje te shendetshme.
Aktualisht ju keni brendin tuaj të veshjeve, si e shihni këtë biznes në trojet shqiptare?
Si çdo biznes tjetër. Megjithatë nuk mendoj që vendi e përcakton suksesin, por angazhimi dhe përkushtimi. Dizajni për mua është pasion dhe unë çdo koleksion e realizoj me shumë përkushtim dhe dashuri.
Bekimi më i madh në jetën tuaj?
Fëmijët.
Bashkëshorti juaj, sa iu ka ndihmuar në realizimin e ëndërrave tuaja?
Nga fillim e deri më sot. Ai më ka përkrahur në vendimet e mia, sepse femra pa përkrahjen e njerëzve të dashur nuk mund të realizoj qëllimet, ëndrrat e saj.
Si është Afërdita si nënë?
Shumë e përkushtuar. Fëmijët janë prioriteti im në jetë.
Kë konsideron vlerë më të rëndëisishme për edukimin e fëmijëve tuaj?
Dashurinë,sinqeritetin,respekti, humaniteti… Një listë e tërë vlerash që çdo prind dëshiron t’i ketë fëmija, por unë punoj vet çdo ditë me ta që të jem shembull për t’i mbartur ato.
Pas kohës që ka kaluar qëkur kishit një kurorë bukurie në, a ndiheni ende Miss?
Kam mbetur nën hijen e Misit që kur jam zgjedhur, sepse hera e parë nuk harrohet. Edhe pse gjtihë këto vite kam punuar dhe kam bërë shumë gjëra të bukura.