Gjobat për gjithë ata që blejnë apo aktivizojnë mjete piroteknike festive apo fishekëzjarre në Maqedoni janë 200 deri në 500 euro, bëjnë të ditur mediet e këtij vendi.
Ky paralajmërim është bërë i ditur nga Ministria e Brendshme.
“Blerja apo aktivizimi i mjeteve piroteknike (të njohura si petarde) në vende publike, rrugë, oborre, hyrje të banesave, paraqet shkelje ligjore që parashohin dënime prej 200 deri 500 euro. Në rast se këto mjete piroteknike shpërndahen dhe shitën në tregje, atëherë kjo paraqet vepër penale, që parasheh dënime me para por edhe burg deri 3 vjet”, thekson MPB.
Po ashtu dënime prej 600 deri 800 euro do të jenë për prindërit e fëmijëve nën 14 vjeç që lejojnë shpërthimin e mjeteve piroteknike.
Por, në tregje dhe ambiente tjera publike akoma po shiten këto materiale shpërthyese dhe se fëmijë vazhdojnë që të furnizohen masivisht në prag të festave të fundvitit.