S’ka liberalizim të vizave në vitin 2015


Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, u është shtuar zërave ndërkombëtarë, të cilët po thonë se nuk do të ketë liberalizim të vizave në vitin 2015.
Ai ka thënë për “InLajm” se nuk pret që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm në Zonën Shengen brenda vitit të ardhshëm “Do të them sinqerisht se unë nuk pres që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në Zonën Shengen në vitin 2015”, ka thënë Braathu.
Ambasadori norvegjez ua kujtoi institucioneve tona se për ta arritur këtë, mbeten edhe shumë detyra të tjera, të cilat do të marrin kohë. Braathu ka deklaruar se pengesë për liberalizim është edhe rritja e dukurisë së migrimit ilegal. “Ka shumë detyra të mbetura në hartën rrugore të vizave dhe këto do të marrin kohë për t’u përmbushur. Përveç kësaj, rritja kohët e fundit e azilkërkuesve nga Kosova është gjithashtu një pengesë për të udhëtuar pa viza në përgjithësi. Procesi do të vazhdojë në vitin 2015”, ka thënë për “InLajm”, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Braathu. 
Kryeministri Isa Mustafa gjatë një takimi që pati me ushtruesin e detyrës së shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Thomas Gnocchi, u zotua se shumë shpejt do të përmbushen të gjitha kriteret të cilat bien në përgjegjësinë e institucioneve të Republikës së Kosovës e që kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave.