Ashtu siç paralajmëroi, deputetja e LDK-së, Alma Lama, ka ngritur kallëzim penal ndaj reperit Gold AG për nxitje të urrejtjes fetare.
Deputetja që fyhet në këngën më të fundit të reperit po ndjehet e rrezikuar edhe më shumë që prej lansimit të këngës dhe thotë se vetëm brenda 24 orësh ka marrë mesazhe të shumta fyese e kërcënuese. Lama që do t’u besojë institucioneve të drejtësisë pret që ata të merren seriozisht me rastin.
Ajo thotë se ka mundur edhe vetë ta zgjidhë këtë çështje me kanun, por dëshiron që kjo të jetë në baza institucionale.
Lama ka pasur edhe shumë raste të tjera, ku ka marrë kërcënime serioze për jetën për shkak të qëndrimeve të saj karshi radikalizmit fetar në Kosovë.
Në këngën e re të Gold AG, “Shqiptar 2”, përmenden një numër i madh i personaliteteve politike shqiptare dhe jo shqiptare, ndërsa një nga ata që fyhen është Alma Lama.